Secondary Adv

Falja e gjobave për kontributet e papaguara deri në 2014 nga fermerët, ISSH sqaron përfitimet

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka sqaruar se fermerët e vetëpunësuar përfitojnë fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave për kontributet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024, me kusht pagimin e plotë të kontributit brenda vitit 2026.

Çfarë parashikon ligji i ri

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka dhënë detaje mbi zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, i miratuar nga Kuvendi më 12 dhjetor 2025. Në nenet 5 dhe 6 të këtij ligji parashikohet fshirja e dënimeve administrative, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, edhe për kategorinë e të vetëpunësuarve në bujqësi.

 

Sipas pikës 3 të nenit 5, shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë fermerët e vetëpunësuar, por pa përfshirë vetë kontributin.

 

Fshirja për periudhën 2015–2024 me kusht pagese

Ndërkohë, pika 5 e nenit 6 parashikon shuarjen e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që të paguhet 100 për qind e kontributit brenda datës 31 dhjetor 2026. Pra, për të përfituar faljen e penaliteteve për këtë periudhë, fermerët duhet të shlyejnë detyrimin bazë brenda afatit të përcaktuar.

 

ISSH thekson se kontributet për sigurimet shoqërore të të vetëpunësuarve në bujqësi, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 7703/1993, nga data 1 tetor 1993 deri më 31 dhjetor 2024, do të paguhen pa kamatëvonesa, sipas masës së përcaktuar në VKM nr. 653, datë 22 korrik 2015.

 

Sa është detyrimi vjetor për fermerët

Sipas sqarimeve zyrtare, për të vetëpunësuarit në bujqësi, pa përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, detyrimi për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 38,400 lekë në vit për zonat fushore dhe 29,400 lekë në vit për zonat malore. Këto vlera përbëjnë shumën bazë që duhet të paguhet për të përfituar nga falja e penaliteteve.

 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore nënvizon se kjo masë synon të lehtësojë barrën financiare për fermerët dhe të krijojë mundësi për formalizimin e plotë të kontributeve, duke i dhënë atyre akses në përfitimet e skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat